20 vjetori i ndërhyrjes së NATO, Bill Clinton dhe Madeleine Albright në Kosovë

Ish-presidenti i SHBA, Bill Clinton dhe ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright kanë mbërritur në Kosovë për të marrë pjesë në aktivitetet me rastin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO.

Dy ish zyrtarët e lartë amerikanë vlerësohen për rolin e tyre vendimtar për bombardimet e Aleancës ndaj caqeve të ish-Jugosllavisë që çuan më pas në pavarësinë e Kosovës.

Clinton dhe Albright u pritën në aeroportin e Prishtinës nga ish presidentja Jahjaga dhe shefi i diplomacisë, Behgjet Pacolli.

“Ishte nder dhe privilegj i madh ta mirëpres ish-Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, në Kosovën e lirë, të pavarur dhe demokratike. Në kohën më të errët të historisë moderne të vendit tonë, vendosmëria dhe guximi i Presidentit Clinton ishin vendimtare për t’i dhënë fund luftës në Kosovë dhe për t’ia kthyer lirinë një populli të tërë.”, shkruan ish presidentja Jahjaga në rrjetet sociale.

Ndërsa ministri i Jashtëm, Pacolli u shpreh se liria dhe pavarësia e vendit janë të lidhura ngushtë me emrin e Bill Clinton. Sipas Pacolli, ish presidenti amerikan do të jetë i nderuar për jetë e mot nga Kosova.

Shkarkoni aplikacionin e A2