Basha: Asnjë negociatë me Ramën. Largimi i tij, i panegociueshëm – A2

Basha: Asnjë negociatë me Ramën. Largimi i tij, i panegociueshëm

Nga mbledhja me dyer të mbyllura e Këshillit Kombëtar të PD, kryetari i saj, Lulzim Basha, i ka kushtuar rëndësi të veçantë përgënjeshtrimit të çdo zëri që flet për marrëveshje të tij me Edi Ramën.

Duke bërë të qartë se Edi Rama përdor dezinformimin dhe thashethemet politike për të ngjallur dyshime dhe pasiguri, Basha deklaroi se “nuk ka asnjë negociatë me Edi Ramën”.

“Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë pazar me Edi Ramën. Nuk ka as ndërmjetës dhe as kanale të fshehta mes meje dhe Edi Ramës”, tha Basha në mbledhjen e forumit më të lartë politik vendimmarrës në PD.

“Ka dy gjëra që duhet t’i dini qartësisht: largimi i Edi Ramës është kusht i panegociueshëm i yni. Kjo nuk ka ndryshuar; Dalja para drejtësisë e të gjithë atyre që vodhën votat tona, votat e shqiptarëve është kusht i panegociueshëm”, theksoi Basha.

Duke theksuar këto dy pika që qëndrojnë në themel të kerkesave të opozitës, Basha u kërkoi anëtarëve të Këshillit Kombëtar të sqarojnë çdo demokrat dhe çdo qytetar që të mos bien pre’ e propagandës së Edi Ramës.

“Ne nuk dolëm nga Kuvendi për të bërë pazar. Ne nuk bojkotuam zgjedhjet lokale për të bërë pazar. Ne nuk kemi shpallur largimin e Ramës për t’u ulur me të në tavolinë. Do të ishte çmenduri dhe nuk do të sillte asgjë të mirë për vendin”, tha kryetari i PD-së.

Shkarkoni aplikacionin e A2