Kodheli: Nuk mund t’ia ndalim qytetarëve të drejtën për të votuar

Mimi Kodheli deklaroi në “Ditari” në A2 CNN se në datën 30 qershor nuk mund t’i ndalohet qytetarëve që të votojnë.

“Të drejtën për të votuar nuk mund t’ia ndalim qytetarëve. Është një datë e përcaktuar në çdo ligj bazuar në Kushtetutë, kështu që çdo influencë politike me prapamendim e bën nul mosmbajtjen e zgjedhjeve. Shqipëria ka një demokraci të re me të cilën nuk duhet eksperimentuar. Duhet të konsolidojmë këtë gjë që kemi arritur deri më sot dhe kjo bëhet duke zhvilluar zgjedhjet dhe duke e bërë debatin politik në Parlament. Demokracia ka disa shtylla që nuk duhet të cënohen”, theksoi kryetarja e Komisionit të Jashtëm.

Kodheli shtoi se “mazhoranca ka potencialin për t’i dhënë një drejtim krizës”.

“Duhet që të nxjerrim ca mësime dhe të mbërrijmë në një dakordësi që do t’i jepte zgjidhje krizës politike. Lajçak tha se Shqipëria ka të gjitha mekanizmat për ta zgjidhur këtë krizë politike dhe institucionale. Të enjten do të kemi një diskutim ku do të përballen opinionet politike të kaheve të ndryshme”, u shpreh deputetja socialiste.

Në lidhje me opozitën, Kodheli deklaroi: “Mendoja se opozita do të maturohej, por nuk e ka bërë dhe tani mundohen të krijojnë artifica të panevojshme. Ne do t’i shkojmë 30 qershorit të bindur që po bëjmë gjënë më të mirë”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN