Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Nisma për shkarkimin e Presidentit, Meta: Presion dhe shantazh ndaj Kreut të Shtetit

Nga A2 CNN
11 Qershor 2019, 19:25 | Politikë
Nisma për shkarkimin e Presidentit, Meta: Presion dhe shantazh ndaj Kreut

Presidenti i Republikës, Ilir Meta e quajti shantazh paralajmërimin e mazhorancës se do ta shkarkojë atë, pas anulimit që Meta i bëri dekretit me datën e zgjedhjeve.

“Është një shantazh dhe një presion që i bëhet institucionit më të lartë të shtetit shqiptar”, tha Meta.

Një ditë pasi anuloi zgjedhjet me arsyen për të ndihmuar zgjidhjen e krizës, Presidenti kishte një pyetje: “U intereson zgjidhja e krizës apo shkarkimi i Presidentit? Nëse u intereson shkarkimi i Presidentit, kjo është shumë e lehtë: hajde të zgjidhim krizën, ikën Presidenti”.

Një merak e kishte për ata që në shqip dhe anglisht i kanë përmendur Kushtetutën: “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është kjo që kam unë në dorë”.

Meta mohoi që vendimin ta ketë marrë për të ndihmuar opozitën.

Presidenti tregoi se e kishte njoftuar kreun e opozitës me telefon, duke lajmëruar se biseda ishte e regjistruar: “E kam njoftuar rreth orës 19:10 ose 19:15”.

Por, kryeministri Edi Rama ishte njoftuar edhe më herët për vendimin: “Kemi patur një drekë sekrete para 10 ditësh, ku kemi biseduar dhe ai e di shumë mirë se sa i shqetësuar jam unë për këtë situatë. I takonte atij që të kërkonte një datë tjetër”.

Me tone të ashpra foli edhe për partnerët amerikanë dhe europianë, që shprehen të gatshëm të monitorojnë zgjedhjet edhe pa pjesëmarrjen e PD dhe LSI: “Nëse ka ndonjë evropian apo amerikan që do të monitorojë zgjedhje të tilla, le të shkojë në Korenë e Veriut”.

 Komunikimin me median, Presidenti e mbylli me një paralajmërim final: “Zgjedhje në Shqipëri nuk ka dhe nuk do të ketë pa dekretin e Presidentit”.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani