Pro apo kundër Ilir Metës? Interpretimet e juristëve për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve

Ekrani i A2 CNN ishte të martën arena e juristëve. Të majtë, të djathtë e pavarur, diskutuan mbi aktin e Presidentit për të anuluar zgjedhjet. Në mëngjes herët ishte nënkryetarja e Kuvendit, socialistja Vasilika Hysi, që paralajmëroi për një precedent të rrezikshëm për vetë demokracinë.

 “I jep mundësi qoftë edhe një force që është në qeveri dhe nuk do të lej pushtetin, të shtyj zgjedhjet, dhe në këtë kuadër të kalojmë në një sistem jo demokratik”, deklaroi ajo.  

Enkelejd Alibeaj është një nga juristët më të njohur të selisë blu. Ish-nënkryetar I Komisionit të Ligjeve, ai pranoi se motivet e Presidentit ishin morale.

 “Anuloi datën 30 sepse kishte një rrezik real për të çuar vendin në përballje fizike, dhe sepse nuk mund të ketë me zgjedhje moniste”, thotë ai.  

Alibeaj ishte i bindur se Gjykata Kushtetuese do ta mbronte Presidentin nga shkarkimi.

Ilir Celibashi, një tjetër jurist i njohur, beson se pavarësisht qëllimeve të mira presidenti nuk arriti ta zgjidhë krizën.

“Nuk kam arsye të besoj se presidenti nuk është nisur nga qëllime të mira, por nga pikëpamja juridike, akti i tij në mendimin tim jo kushtetues, ka krijuar më shumë konfuzion”, thotë ai.  

Celibashi theksoi se që nga shpallja e datës së zgjedhjeve, procesi ikën nga presidenti dhe administrohet nga KQZ dhe kolegji zgjedhor.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN