PS dhe PD të ndarë, por çfarë kanë në dorë institucionet?

Juristi dhe ish-kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, ishte i ftuar në Ditarin e orës 13:00 në A2 CNN, nga ku foli për situatën aktuale të krijuar pas anulimit të datës 30 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve dhe si duhet të veprojë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Nga sa kam unë informacion KQZ nuk ka bërë një diskutim një ditë më parë në lidhje me kushtetutshmërinë e dekretit të Presidentit. Por KQZ ka vazhduar me proceduarat për përgatitjen e procesit zgjedhor të 30 qershorit. Në këtë mënyrë, KQZ e ka injoruar në një lloj mënyrë dekretin e Presidentit për anulimin e kësaj date. Se sa ky vendim është në përputhje me ligjin, kjo është një çështje që i takon Kolegjit Zgjedhor”, u shpreh Celibashi teksa foli për mbledhjen e një dite më parë të KQZ.

Në vitin 2017, Kolegji Zgjedhor u shpreh për një situatë të ngjashme, ku thuhej se nuk ishte juridiksioni i tij për t’u shprehur në lidhje me situatën. Dekreti i Presidentit të atëhershëm, i Bujar Nishanit, konsiderohej akt individual, administrativ dhe përgjigje për këtë mund të kërkohej nga KQZ dhe Gjykata Administrative. Por a është kjo një “kartë” ende e vlefshme?

“Ky është një argument i shtuar për ata që mendojnë se dekreti i Presidentit është një akt administrativ individual dhe si i tillë duhet bazuar në Kushtetutë dhe në ligj, duhet të kundërshtohet në Gjykatën Administrative. Ky është një argument i shtuar, pasi kemi një precedent kur i njëjti akt nga pikëpamja formale është kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykata Kushtetuese ka thënë: Jo nuk jemi ne organi, i cili duhet ta shqyrtojë një dekret të tillë. Në këtë rast, ai që ka interesin ligjor për ta kundërshtuar këtë akt të Presidentit mund t’i drejtohet Gjykatës Administrative, por jo Gjykatës Kushtetuese”, tha Celibashi.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN