Rikthehet Cikalleshi, Ramadani në finish, Shqipëria mund me drithërima Moldavinë

Shqipëria fiton jo pa mund kundër modestëve të Moldavisë dhe mban ende shpresë për kualifikueset e kampionatit evropian. Një gol i rrëmbyer nga Cikalleshi në minutën e 65 dhe një aksion personal i Ramadanit në minutat shtesë i dhurojnë trajnerit Edi reja tre pikëshin e parë të eksperiencës së tij në stolin kuqezi.

Shqipëria e nis mirë lojën por si gjithmonë vuan në fazën e konkretizimit të aksioneve, edhe nga elementë me eksperiencë të madhe ndërkombëtare si Hysaj, që shpërdoron para portës në minutën e 8-të.

 Në minutën 32’ futbollistët shqiptarë protestojnë për një faull të dukshëm në zonën e rreptësisë të mbrojtësit Armas.  

Kur pjesa e parë mbyllet pa gola, jo pak në Elbasan Arena mendojnë se mund të kemi të bëjmë me një figurë tjetër të keqe ndaj një nga pak ekipeve ndaj të cilëve jemi superior.

Në pjesën e dytë Reja fut në lojë Cikalleshin dhe Roshin, dhe ndryshimi sjell frytin e vyer në minutën e 65-të, kur nga një aksion pikërisht të Roshit, sulmuesi kavajas arrin të devijojë topin në rrjetë.

Aty Shqipëria fillon e tërhiqet dhe për disa minuta Moldavia fillon të luajë në zonën shqiptare dhe të rrezikojë portën e Berishës, sidomos Boicuic që me kokë ka mundësinë artë. Mbrojtja reziston gjithsesi, dhe në minutat e fundit shtesë është Ramadani që me një aksion personal shënon golin e qetësisë.

Me këtë fitore, Shqipëria ngjitet në 6 pikë, e katërta në një grup ku Franca, Islanda dhe Turqia kanë 9 pikë. Rrugëtimi është ende i gjatë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN