Spiropali: Kemi President për të qarë hallin!

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe zëdhënësja e Qeverisë, Elisa Spiropali, reagoi pas konferencës për shtyp të Presidentit Ilir Meta, duke e krahasuar Kreun e Shtetit me aktorin e humorit Bes Kallaku.

“E gjeta konsensusin tek këmbëngulja e të dyja palëve për të mos dialoguar! Këtë e thotë Presidenti i Shqipërisë, jo Bes Kallaku i Portokallisë. Duhet pranuar se kemi një president jo vetëm për të qarë hallin, po edhe për të mos harruar gazin”, shkroi Spiropali në Twitter.

Meta theksoi më herët se vendimi për çdekretimin e zgjedhjeve u mor pas retorikave të të dyja palëve.

“Vendimi është marrë pas retorikave të dy palëve politike. Të dy palët e kishin shpallur 30 qershorin si ditën e betejës së tyre finale. Presidenti i Republikës siguron të gjithë qytetarët që zgjedhjet do të bëhen në një datë të mëvonshme, duke respektuar afatet. Presidenti u bën thirrje palëve që ta lexojnë bashkërisht Kushtetutën dhe të bien dakord për një datë të re ku do të marrin pjesë të gjithë. Presidenti është i gatshëm të marrë vendime të rëndësishme për t’i shërbyer interesit të përgjithshëm”, tha Meta.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN