Anulimi i zgjedhjeve, Hajdari: Meta duhet të kishte dialoguar para vendimit

Rudina Hajdari, kryetare e grupit parlamentar demokrat, ishte e ftuar në “Dita Jonë” nga ku foli për situatën politike në vend.

Për Hajdarin, Presidenti Meta duhet të kishte diskutuar me palët politike në vend para se të merrte vendimin për anulimin e 30 qershorit si data e zgjedhjeve.

“Nuk kam parë te Presidenti një përpjekje për të pasur një dialogim mes palëve. Ai thotë se e bën këtë për të unifikuar popullin, por ai duhet të kishte pasur disa përpjekje paraprake, duhet të kishte dialoguar”, tha Hajdari.

Rudina Hajdari theksoi se vendi nuk mund të shkojë në zgjedhje me këtë sistem zgjedhor dhe Presidenti duhet të përfshihet për një tjetër sistem dhe nuk mund të anashkalojë këtë gjë.

“Presidenti duhet të kishte përfshirë edhe faktin që vendi ka nevojë për një reformë zgjedhje. Nëse ne flasim për të pasur zgjedhje, atëherë si do të sigurohemi që të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme. Fakti që nuk përfshihet, tregon se ka një anashkalim të rolit të Parlamentit, të rolit të opozitës. Këtë gjë, Presidenti duhet ta shohë me vëmendje. Presidenti duhet tí thotë Parlamentit që të merret me reformën zgjedhore. Të rishikohet sistemi aktual, pasi ndoshta ka sjellë këtë krizë. Nuk duhet të hedhim topin dhe të mos bëjmë asgjë tjetër”.

Sa i përket deklaratave të ndërkombëtarëve në lidhje me krizën në vendin tonë, Hajdari u shpreh se deklaratat e tyre përdoren nga partitë në vend dhe kjo e thellon edhe më tej krizën. Deputetja thekson se kriza duhet të zgjidhet nga vetë ne.

“Po luhet shumë me pozicionin e ndërkombëtarëve. PS mundohet të marrë ndërkombëtarët që mbështesin qëndrimin e tyre dhe e kundërta. Përdorimi i deklaratave të ndërkombëtarëve e thellon më shumë krizën. Këtu jemi në një situatë krize dhe nuk mund të themi që njëra palë ka më shumë apo më pak të drejtë. Unë mendoj se ne duhet ta zgjidhim vetë këtë situatë”, u shpreh Rudina Hajdari.

Shkarkoni aplikacionin e A2