Bill Clinton dekorohet nga Thaçi: Jeni shembull për Botën!

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dekoroi me “Urdhrin e Lirisë” ish presidentin e SHBA, Bill Clinton për kontributin e tij për pavarësinë e vendit.

Ish presidenti amerikan u vlerësua me dekoratën më të lartë në Kosovë me rastin e 20 vjetorit të ndërhyrjes së trupave të NATO, që konsiderohet dhe si data e çlirimit nga forcat serbe.

Clinton u emocionua nga ky nderim dhe tha se Kosova duhet të shihet si shembull nga e gjithë bota.

“E gjithë bota sot, në gjithë këtë trazirë duhet ta shohë Kosovën si vend të demokracisë, e përkushtuar të përmirësohet e të rritet dhe të jetojë në paqe me fqinjët, që është diçka për të cilën duhet të punojë çdo shtet, i madh e i vogël , brenda dhe jashtë kufijve të tyre. Mendoj që e keni mundësinë të bëheni shembull i botës edhe për 20 vjet të tjera”, tha ish kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Clinton theksoi se ndihet krenar që ishte president në kohën kur populli i Kosovës kishte nevojë. Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, ish presidenti amerikan dha këtë mendim.

“Kosova e meriton të jetë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në çdo organizatë tjetër në cilën mund të jetë çdo shtet i pavarur.”

Nga ana tjetër, Hashim Thaçi e cilësoi ish presidentin amerikan hero të Kosovës.

“Mbështetja juaj ka qenë jetike për lirinë, pavarësinë, dhe tash në rrugëtimin euroatlantik, andaj historia e Kosovës është një histori e suksesit të përbashkët. Ju jeni heroi ynë, dhe iu falënderoj shumë në emër të gjithë qytetarëve të Kosovës”, deklaroi presidenti Thaçi në ceremoninë e dekorimit.

Pas takimit me Thaçin, Clinton u prit dhe nga kryeministri Ramush Haradinaj. Bashkë me ish presidentin amerikan, në Kosovë gjendet dhe Madeleine Albright, e cila në kohëne luftës me Serbinë ishte sekretare e Shtetit.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN