Deputetët gjermanë në Tiranë: Për zgjedhjet të respektohet Kushtetuta – A2

Deputetët gjermanë në Tiranë: Për zgjedhjet të respektohet Kushtetuta

Josip Juratoviç, kryetari Grupit të SPD në Bundestagun gjerman, nuk u fsheh pas gjuhës diplomatike kur foli për krizën në Shqipëri. Ashtu si të gjithë politikanët, as ai nuk i shpëtoi dot interpretimit të Kushtetutës, kur u pyet për anulimin e datës së zgjedhjeve. 

“Ky vend ka një Kushtetutë dhe ajo është baza e një shteti. Të paktën tek ne në Gjermani është kështu, është baza e të gjitha insitucioneve shtetërore dhe të gjithë kanë besim te Kushtetuta. Nëse Kushtetuta thotë se zgjedhjet do duhet të zhvillohen në një moment të caktuar kohor, atëherë duhen zhvilluar në atë moment. Procesi zgjedhor përfaqëson konkurrencën midis partive politike. Secila parti ka të drejtën e saj për të marrë pjesë apo jo në këtë proces konkurrimi dhe janë zgjedhësit që vendosin”, tha Juratoviç.

Juratoviç, së bashku me 2 deputetët e tjerë të FPD-së dhe AFD-së, zhvilluan takime me politikanët shqiptarë, por jo me Presidentin Ilir Meta apo Lulzim Bashën e Monika Kryemadhin. Me një protokoll strikt, takimet me opozitën, sipas tyre, u mbyllën në Parlament.

“Kishim takime me përfaqësues të Parlamentit, mesa di unë aty ka qenë dhe opozita parlamentare. Unë nuk mund të dal në kërkim të partive të ndryshme në vendin tuaj për të folur, nëse e kam këtë lloj mundësie, atëherë e bëj me anëtarë të OJQ-ve. Sigurisht që gjithkush është i lirë të bëjë protestë, por bojkotimi i Parlamentit është bojkotimi i demokracisë. Për mua Parlamenti ka të njëjtin shenjtëri si Kisha. Kam përshtypjen që është kthyer në një sport të dashur për shqiptarët të bojkotohet kur nuk u pëlqen diçka”, tha deputeti gjerman.

Kanë qenë disa dhe të ndryshme qëndirmet e deputetëve apo përfaqësuesve të qeverisë gjermane të artikuluara për atë që po ndodh në Shqipëri, por një gjë mbetet e sigurtë: “Situata aktuale do të luajë rol në vendimmarrjen e Këshillit Evropian”. 

Shkarkoni aplikacionin e A2