Elbasani sipas kandidatit të vetëm, Llatja: Është bërë punë e mirë, por kemi probleme në infrastrukturë

Elbasani është ndalesa e radhës e A2 Business Week. Edhe pse shumë afër me Tiranën, realiteti me të cilin përballet Elbasani është shumë i ndryshëm. Për të folur mbi problematikat e Elbasanit ishin të ftuar në studiot e A2 CNN ish kryetari i Bashkisë së Elbasanit,  Ardian Turku dhe Ahmet Mehmeti nga Shoqëria civile.

Pavarësisht paqartësive politike, të paktën zyrtarisht fushata për zgjedhjet e 30 qershorit mbetet e hapur dhe në Elbasan, një ndër qarqet kryesore në vend, me numrin më të madh të familjeve me ndihmë ekonomike, në garë është vetëm një kandidat, Gentjan Llatja i Partisë Socialiste, ish prefekti i Qarkut.

Ai pranon që zgjedhjet pa një rival tradicional bëjnë që kjo të jetë “fushata që ndoshta të gjithë do të donim përherë, pa shumë reklamë, postera, flamuj, fushatën e bëjnë njerëzit”, edhe pse shton se “normalisht, do të ishte mirë që të kishte edhe opozitë në këshillin bashkiak”.

Por kjo veçanti, sipas tij, nuk ndryshon fushatën e Partisë Socialiste në Elbasan, sepse “si përherë, jemi fokusuar te puna jonë, nuk do të ndryshonim edhe sikur të kishim një kandidat përpara”.

Problematikat dhe pikat e platformës

Elbasani ka 130 fshatra, ku ka probleme të mëdha në infrastrukturë. Ujësjellës, kanalizime, rrugë, ky është prioriteti kryesor.

Do të duhet të mendoj për të gjithë qytetarët e një zone territoriale shumë të madhe, nga Zavalini që është afër Gramshit deri në Krrabë që ndodhet pranë kryeqytetit.

Punësimi

Pushteti vendor është facilitues tek politikat shtetërore, por ka ndikim shumë të madh në bashkëpunimin  e institucioneve. Kemi Institucione të mira për sa i përket formimit profesional, por  duhet bërë një ndërmjetësim më i mirë. Vende pune ka, kemi shumë fasone këtu që nuk po gjejnë krahë pune, por edhe punëkërkues që nuk kanë qenë një herë në zyrat e punës. Kemi projekte për orientimin e bizneseve të reja, për punësimin e të rinjve”.

Pse duhet t’ju votojnë qytetarët?

Qytetarët do të kenë një kontratë me kryebashkiakun e ri të Elbasanit, për zhvillimin e qytetit dhe zhvillimin  e fshatit. Është bërë punë  e mirë në këto 6 vite me Qazim Sejdinin, dhe sigurisht me qeverinë e Edi Ramës, por ne kemi një vizion për zhvillimin ekonomik të qytetit, për projektet infrastrukturore të Bashkisë”.

Shkarkoni aplikacionin e A2