Gjumi me televizorin ndezur mund t’iu shëndoshë, drita dëmton metabolizmin

Qëndrimi deri vonë përpara televizorit apo drita që lini ndezur për t’u ndjerë më të sigurt gjatë gjumit mund t’iu shëndoshë.

Një studim i ri tregon se fjetja me dritën ndezur lidhet me rrezikun gjithnjë e në rritje për fitimin e peshës së padëshiruar dhe obezitetit. Kërkim i publikuar në revistën e Shoqatës Mjekësore Amerikane, që analizoi rreth 44 mijë gra në Shtetet e Bashkuara, zbuloi se ato që flinin me televizorin apo me një dritë ndezur në dhomë, fituan 5 kilogramë në peshë ose më shumë.

Gjithashtu patën një rritje në masën e trupit me 10% në një periudhë 5-vjeçare, si dhe iu shtuan shanset me 22% për të kaluar mbipeshë.  Studimi zbuloi se për shkak të këtyre rrethanave, u rritën shanset me 33% për të kaluar në obezitet.

Zyrtarët e shëndetit amerikan rekomanduan që televizori dhe pajisjet e tjera elektronike të largohen nga dhoma e gjumit në mënyrë që të krijohet një mjedis i shëndetshëm për fjetjen. Për shkak të dritës artificiale gjatë natës, ora trupore mund të fiket. Kjo mund të dëmtojë metabolizmin duke shkaktuar shtim në peshë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN