Ivi Kaso: Rama po e çon vendin drejt një “puçi” institucional

Ivi Kaso, sekretar për çështjet zgjedhore pranë PD, ishte i ftuar në “Ditarin” e orës 09:00 në A2 CNN. Ai u shpreh se mazhoranca po e çon vendin drejt një grushti shteti institucional edhe pse sipas tij, akti i Presidentit për anulimin e “30 qershorit”, ishte një mundësi e artë.

“Që prej datës 8 qershor, çdo njeri i arsyeshëm në këtë vend, shpresonte që pala e cila është në mazhorancë dhe ka përgjegjësinë e mbarëvajtjen e jetës demokratike në vend, të kishte një farë reflektimi. Mazhoranca duhet të kishte reflektuar pas mundësisë së artë të dhënë nga Presidenti për të dyja palët, por më shumë për palën që ka përgjegjësinë, për të gjetur shtegun e dialogut. Për fat të keq, Kryeministri nuk ka asnjë reflektim, përkundrazi ka thelluar krizën politike, duke shtyrë institucione që drejtohen dhe kontrollohen nga mazhoranca aktuale drejt një grushti shteti institucional, drejt një puçi institucional. I tillë është edhe vendimi që projektohet të merret ditën e nesërme në Kuvend. Dy vendime të paprecedenta.

Në radhë të parë, nuk ka ndodhur ndonjëherë që KQZ të arrijë të bëjë objekt debati dekretin e Presidentit. Nuk e ka këtë tagër, nuk e ka pasur kurrë. E tillë është edhe marrëzia e nesërme që projektohet që me vendim të Kuvendit të deklarohet pavlefshmëria absolute e dekretit të Presidentit. Kjo palë e cila betohet për Kushtetutën, por me të dyja këmbët i shkel institucionet që kontrollohen prej saj”, tha Ivi Kaso.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN