Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Trump i pakujdesshëm, zbulon ujdinë me Meksikën për emigracionin

Nga A2 CNN
12 Qershor 2019, 13:23 | Bota

Presidenti amerikan, Donald Trump është treguar shumë i pakujdesshëm dhe ka zbuluar disa detaje të ujdisë së tij për emigracionin me Meksikën. Kreu i Shtëpisë së Bardhë refuzoi të diskutonte planin me reporterët duke thënë se ishte “sekret”. Por këtë e tha ndërsa tregoi një copë letër, që përmbante specifika të marrëveshjes të shkruara në të, e cila u fotografua nga mediat.

“Kjo është marrëveshja që të gjithë thonë se nuk e kam. Nuk do ta zbuloj pasi do të lejoj që Meksika ta bëjë njoftimin në kohën e duhur. Është një ujdi e thjeshtë, këtu kam një faqe, por është një marrëveshje e gjatë dhe shumë e mirë për Meksikën dhe Shtetet e Bashkuara”, deklaroi presidenti Trump.

Presidenti amerikan e shndërroi fortifikimin e kufirit me Meksikën në një premtim kryesor të fushatës dhe marrëveshja shmangu kërcënimin e tij për vendosjen e tarifave tregtare. Dokumenti tregon se Meksika është dakordësuar për një afat kohor, në të cilin do të tregojë se përpjekjet për ndalimin e lëvizjes së emigrantëve kanë funksionuar.

Nëse SHBA do të përcaktonte se masat nuk kanë arritur rezultate të mjaftueshme në adresimin e valës së emigracionit, atëherë Meksika duhet të ndërmarrë veprime ligjore më të fuqishme. Një gjë e tillë u konfirmua dhe nga ministri i Jashtëm meksikan, Marcelo Ebrard, i cili tha se vendi ka 45 ditë kohë për të shfaqur masa efikase dhe për këtë ka vendosur 6 mijë ushtarë në kufirin me Guatemalën. Ky i fundit tha se kërkesa e SHBA ishte zero emigrantë, por shtoi se një gjë e tillë ishte e pamundur.

A2 CNN Livestream

Dita jonë