Zhbalancimi i tregut çon euron në pikiatë

Euro nuk mund të quhet më valuta e fortë. Monedha europiane ka zbritur në kuotën e 122 lekëve në tregun tonë të këmbimit, duke iu afruar gradualisht vlerave kur ajo është hedhur për herë të parë në treg, në vitin 2001.

Ekspertët shpjegojnë se dobësimi i fortë po ndodh për shkak të zhbalancimit të ofertës me kërkesën. E thënë ndryshe, në treg ka sasi të mëdha eurosh, ndërsa biznesi nuk po tërheq për të blerë mallra e produkte, për shkak edhe të pasigurisë së përgjithshme që ekziston në ekonomi.

Eksperti i ekonomisë Adrian Civici shprehet: “Fakti që kursi i këmbimit varet nga oferta e euros, në Shqipëri ka bollëk, që vjen nga faktorë informalë, por edhe afrimi i sezonit turistik”.

Edhe pse kursi i këmbimit nuk mund të parashikohet, gjasat janë që euro të pësojë rënie të mëtejshme deri në shtator. Kjo pasi gjatë sezonit turistik shtohet më tej oferta, për shkak të prurjeve të euros nga turistët e huaj dhe emigrantët, që kthehen në atdhe për pushime.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN