Çdo efektiv policie do t’i nënshtrohet testit psikologjik

Një nga aspektet më të rëndësishme, por më pak të kuptuara para punësimit të efektivëve të policisë, është testi psikologjik.

Si hap i fundit në procesin e punësimit për oficerët e policisë, testi psikologjik, mund të jetë vendimtar në shanset e çdo personi për t’u bërë ose jo pjesë e Policisë së Shtetit. Për këtë, jo veteëm kandidatët, por edhe ata që janë pjesë e policisë do t’i nënshtrohen testit psikologjik.

Urdhri i mbërritur një ditë më parë në të gjitha drejtoritë vendore do të aplikohet fillimisht në Tiranë dhe më pas qarqet e vendit. Burime për A2 CNN thanë se është ngritur një grup pune, ndërsa testi psikologjik do të bëhet në bashkëpunim dhe me ndërkombëtarët, më konkretisht projektin norvegjez.

Nga të dhënat të cilat pritet të bëhen publike javën e ardhshme, mësohet se çdo efektiv do t’i nënshtrohet testit psikologjik në varësi të ngjarjeve të ndryshme. Projekti në bashkëpunim dhe me Ambasadën Norvegjeze është mbështetur nga praktikat më të mira në policët e Bashkimit Evropian.  

Testi shërben dhe si një kategorizim i efektivëve të policisë, ku bëhet e mundur ndarja e të gjitha llojeve të personaliteteve për të bërë një forcë policore efektive. Nga ana tjetër, ka edhe tipare të caktuara që janë të padëshirueshme tek oficerët e zbatimit të ligjit. Testi ka tendencë të identifikojë ato, ndërsa mësohet se rezultatet nuk do të ndikojnë në punën e gjithësecilit, por më shumë në drejtim të përshtatshmërisë së pozicionit.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN