E ngarkuara me punë e SHBA, Moses-Ones, takim me Metën

E ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Leyla Moses-Ones po zhvillon këtë të enjte një takim me Presidentin Ilir Meta në Presidencë.

Situata politike e krijuar në ditët e fundit pas dekretit të Presidentit për të shfuqizuar dekretin e mëparshëm që kishte caktuar 30 qershorin si datë të zgjedhjeve vendore 2019 duket se ka vënë në lëvizje diplomaten amerikane.

Një ditë më parë, Presidenti priti në takim partitë e grupimit të qendrës së djathtë, aleatë të Partisë Demokratike, me të cilët diskutoi mundësitë për caktimin e një date tjetër për zgjedhjet vendore. Palët vazhdojnë të jenë më të ndarë se kurrë në qëndrimet e tyre, me opozitën që kërkon dorëheqjen e Kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie transitore, ndërsa shumica këmbëngul se zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor dhe e konsideron si nul dekretin e Presidentit.

Edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e mori parasysh këtë dekret dhe deri më tani, pa praninë e kryetarit Klement Zguri, anëtarët e tjerë kanë vazhduar punën normalisht për mbajtjen e zgjedhjeve në datën e paracaktuar.

Në daljen e fundit për mediat, Presidenti tha se kishte marrë vendim për të shfuqizuar dekretin e “30 qershorit” pasi vendi rrezikonte të shkonte në konflikt civil. Ai u bëri thirrje edhe ndërkombëtarëve që në Shqipëri nuk mund të kishte më votime, me një parti, por duhet të kishte zgjedhje.

Shkarkoni aplikacionin e A2