Hajdari: Rezoluta nuk ka vlerë, presidenti në konflikt interesi

Deputetja e opozitës Rudina Hajdari, gjatë fjalës së saj në Kuvendin e Shqipërisë, ku diskutohet draft/rezoluta për Presidentin Ilir Meta deklaroi se kjo rezolutë nuk ka asnjë vlerë juridike, por thjesht ngre presionin dhe shantazhin ndaj Kreut të Shtetit.

Sipas Hajdarit, Parlamenti vetëm mund të konstatojë aktin e Presidentit të Republikës, pasi gjykimin për vendimin e tij e merr Gjykata Kushtetuese.

“Kemi një rezolutë që nuk ka ndonjë vlerë juridike që për mendimin tonë ngre thjesht presionin dhe shantazhin ndaj Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Aktin e Presidentit të Republikës në si parlament vetëm mund ta konstatojmë. Gjykimin mbi vendimin e Presidentit të Shqipërisë e merr Gjykata Kushtetuese dhe ne duhet të jemi të qartë me qytetarët.  

Sipas nenit 90 pika 2, mocioni për shkarkimin e presidentit vjen me firmat e 35 deputetëve dhe i depozitohet kryetarit të Kuvendit që ka për detyrë të ngrejë një komision hetimor dhe më pas të verifikojë pse presidenti ka marrë këtë vendim. Pasi komisioni të konstatojë mbi vendimin e Presidentit, ka për detyrë edhe ta dëgjojë. Më pas komisioni mund të përpilojë një raport që do të miratohet në Kuvend dhe pastaj t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese. Fakti që nuk kemi Gjykatë Kushtetuese është fatkeqësi”, tha deputetja Hajdari.

Deputetja e opozitës, Rudina Hajdari kërkoi gjithashtu të zbardhen arsyet që çuan presidenti Ilir Meta në vendimmarrjen për të tërhequr dekretin për mbajtjen e zgjedhjeve dhe a do të ndihmojë ky akt në zgjidhjen e krizës. Hajdari e shikon të vështirë tryezën e dialogut, kur kushti i vetëm i opozitës është largimi i Edi Ramës. Sipas saj, ishte ky Kuvend që e zgjodhi Metën president vetëm për arsye të zgjatjes së pushtetit të tij.

“A nuk futet vendi më shumë në krizë nëse palët nuk ulen në tryezë për të caktuar një datë tjetër? Nëse kushti i vetëm është largimi i Ramës, si mund të ulen palët? Unë e shikoj të pamundur. Së dyti, nëse gruaja juaj është pjesë e opozitës dhe kjo palë është bërë pjesë e këtij konflikti, nuk është ky konflikt i pastër personal? Presidenti duhet të ulet me palët dhe të caktojë datën e zgjedhjeve. A nuk ishte ky Parlament që e zgjodhi me vota Metën? Pse e zgjodhët? Donit t’i zgjasnit pushtetin?”, u shpreh deputetja Hajdari.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN