Miratohet me 100 vota pro rezoluta kundër Metës – A2

Miratohet me 100 vota pro rezoluta kundër Metës

Parlamenti ka miratuar me 100 vota pro, 7 kundër dhe 2 abstenime, rezolutën e propozuar nga Partia Socialiste mbi dekretin e Presidentit Ilir Meta për shfuqizimin e dekretit të nëntorit 2018 për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në 30 qershor.

Pas diskutimeve për disa orë, rezoluta u votua nga të gjithë deputetët e shumicës, por edhe nga radhët e opozitës parlamentare pati vetëm 7 vota kundër. Një kopje e kësaj rezolute iu është dorëzuar dhe ambasadorëve të BE dhe SHBA.

Deputetët që votuan kundër: Fatjona Dhimitri, Elda Hoti, Lefter Maliqi, Klajdi Qama, Artur Roshi, Vasil Sterjovski, Besnik Troplini. Ramazan Gjuzi dhe Eneda Kapllani abstenuan.

Në rezolutë, PS i bën thirrje të gjitha organeve publike që ngarkohen nga ligji për organizimin e zgjedhjeve, që ta konsiderojnë si inekzistent dekretin e Presidentit Meta, me të cilin ai shfuqizoi dekretin e mëparshëm ku 30 qershori caktohej si datë për mbajtjen e zgjedhjeve vendore 2019.

Përmes saj, PS kërkon edhe mundësinë e aktivizimit të mekanizmave të kontrollit dhe hetimit parlamentar ndaj vendimit të Presidentit Ilir Meta, për anulimin e datës së zgjedhjeve vendore.

Shkarkoni aplikacionin e A2