Parakalim ushtarak në Prishtinë, Thaçi: Po punojmë për marrëveshjen me Serbinë

Kanë vijuar dhe ditën e enjte aktivitetet në Kosovë në shënim të 20 vjetorit të Çlirimit të vendit.

Për këtë ngjarje të rëndësishme, Forca e Sigurisë së Kosovës ka bërë një parakalim në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ku ishin të pranishëm krerët më të lartë të shtetit si dhe diplomatë e partnerë.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, presidenti Hashim Thaçi tha se FSK tashmë është një forcë funksionale, e gatshme për të mbrojtur paqen në gjithë territorin.

“Sot FSK është e mishëruar me këtë dëshirë për liri, me gatishmëri për të mbrojtur paqe për çdo qytetarë të Kosovës në çdo cep të territorit të Kosovës. FSK sot është forcë multietnike që në mënyrën më të mirë pasqyron atë që kemi ndërtuar së bashku. Të nderuar ushtar, këto ditë kujtojmë të kaluarën, por shikojmë edhe nga e ardhmja. Kemi arritur shumë për këto 20 vite, por kemi pasur edhe sfida. Tani po punojmë për anëtarësim në NATO dhe BE”, tha Hashim Thaçi para ushtarakëve.

Hashim Thaçi, gjithashtu shtoi se Kosova ka ndërtuar marrëdhënie shumë të mira me fqinjët dhe se po punon për arritjen e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN