Rama: Iliri është mësuar keq, e shqelmon të mirën – A2

Rama: Iliri është mësuar keq, e shqelmon të mirën

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në Kuvend, deklaroi se ditën e sotme, në vend që Kuvendi të merrej me rezolutën që do i drejtohej shteteve të Bashkimit Evropian për t’i kërkuar “njohjen e meritës së Shqipërisë në përmbushjen e kushteve të vëna prej tyre dhe për nisjen e negociatave”, po merret me “me një akt brutal, të papërgjegjshëm dhe të patolerueshëm të Ilir Metës”, duke iu referuar dekretit të Presidentit për shtyrjen e zgjedhjeve.

“E pyes shpesh veten: çfarë kërkon më shumë Ilir Meta nga Shqipëria? Kujt i ka bërë Shqipëria më shumë ndere sesa këtij njeriu? Pa mbushur ende 50 vjeç e ka bërë edhe kryeministër, edhe kryetar Kuvendi, edhe President. Kujt më shumë se Ilir Metës i janë falur përçarjet dhe skandalet dhe i është dhënë kaq e kaq herë mundësia që të rilindë? Këto pyetje na çojnë edhe te përgjigjja: Iliri është mësuar keq, ta përqeshë fatin e tij, ta shqelmojë të mirën e tij, duke u bërë protagonist me vend e pa vend në një skenë ku Metës nuk i mjafton kurrë maja ku ngjitet. Jo President, por Mbret ta shpallin shqiptarët, prapë Ilir Meta nuk do të ndihej mirë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se “sot jemi dëshmitarë të një zarari të madh dhe të kotë, të dëmshëm dhe të papranueshëm të Presidentit të Republikës”.

Shkarkoni aplikacionin e A2