Trump: Do pranoja informacione të huaja për rivalët

Donald Trump nuk do ta kishte problem të pranonte informacione komprometuese lidhur me kundërshtarët e tij gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2020, edhe nëse ato do të vinin nga qeveri të huaja.

“Mendoj se ndoshta mund të dëgjoja. Nuk ka asgjë të keqe të dëgjosh. Nëse dikush do të më telefononte nga një vend si Norvegjia për të më thënë se kanë informacione për rivalët e mi, unë do të doja t’i dija”, u shpreh Trump gjatë një interviste për televizionin amerikan ABC News.

Presidenti refuzoi ta përkufizonte këtë akt si ndërhyrje në zgjedhje nga një fuqi e huaj. Megjithatë ai shtoi se ndoshta mund të kontaktonte FBI-në nëse do të vlerësonte se ka diçka të gabuar në informacionin e ofruar. “Nuk është ndërhyrje. Ata kanë informacionin dhe unë do ta merrja. Ndoshta nëse do të mendoja se ka diçka të gabuar, mund të kontaktoja FBI-në”, shtoi Trump.

I pyetur nëse mendonte se djali i tij duhet të kishte telefonuar FBI-në kur mori një e-mail të tillë në 2016-n, Presidenti amerikan reagoi me nervozizëm. “Më lini të qetë, jeta nuk funksionon kështu”, ishte komenti i tij.

Pretendimet për bashkëpunimin me Rusinë përzgjedhjet presidenciale të vitit 2016 kanë dominuar presidencën e Trump, duke nxitur edhe një hetim të gjatë të drejtuar nga prokurori I posaçëm Robert Mueller.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN