Kanadezët fitojnë për herë të parë titullin kampion në NBA

Toronto Raptors mundën kampionët në fuqi të NBA, Golden State Warriors 114-110 duke fituar kështu për herë të parë titullin kampion. Raptors fituan ndeshjen e gjashtë duke e çuar rezultatin e takimeve në 4-2, ndërsa Kawhi Leonard u shpall MVP i finaleve pasi realizoi mesatarisht 28,5 pikë për ndeshje.

“Ishin 12 muaj fantastikë”, tha trajneri i Torontos Nick Nurse, pasi skuadra e tij fitoi titullin e parë, 24 vjet pas krijimit. “Kjo është arsyeja pse merrem me basketboll, prandaj kam punuar aq shumë”, shtoi Leonard.

Warriors, të cilët vinin në këtë finale pasi ishin shpallur kampionë në dy sezonet e fundit, dhe me tre tituj në katër vite, luanin pa të dëmtuarin Kevin Durant ndërsa në periodën e tretë humbën edhe Klay Thompson. Stephen Curry pati mundësinë të barazonte serinë e ndeshjeve, por humbi një trepikësh kur rezultati ishte 111-110 për Raptors, ndërsa më pas Leonard vulosi fitoren për miqtë nga Kanadaja.

Kjo ishte ndeshja e fundit për Warriors në “Oracle Arena”, para se të transferohen në “Chase Center” në San Francisko. Raptors bëhen kështu i pari klub kanadez basketbolli që fiton NBA, dhe i pari klub sportiv kanadez që fiton një trofe në Amerikën e Veriut, që kur Toronto Blue Jays fituan kampionatin e bejsbollit në vitin 1993.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN