KPK merr vendimin për Prokurorin e dosjes 339 – A2

KPK merr vendimin për Prokurorin e dosjes 339

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë Vladimir Marën, prokurorin e dosjes 339 dhe njëherësh kandidat për të qenë pjesë e Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion.

Dy ditë më parë, Mara kaloi në filtrin e KPK për të tre kriteret e vetting-ut: pasuri, figurë e profesionalizëm, ku rezultoi pa probleme dhe i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës së prokurorit. I vetmi moment që krijoi debat për Marën, njëkohësisht një nga prokurorët e dosjes “Tahiri”, ishte përdorimi për gati 2 vjet i një automjeti me targa angleze, i sjellë nga Mbretëria e Bashkuar nga kushëriri i tij.

Nga ana e tij, prokurori Mara theksoi se kishte një akt përdorimi nga kushëriri dhe se e kishte përdorur mjetin shumë pak muaj, për shkak se kishte timon të stilit anglez. “Nuk kam pasur qëllim asnjë moment t’i shmangem ligjit apo taksave”, tha Mara.

KPK solli në vëmendje polemikën e ekstradimit të Nezar Seitajt, një prej të pandehurve të dosjes “Habilaj”. Prokurori Mara sqaroi se në dosjen e gjykatës që vendosi ekstradimin e tij ndodhej vendimi për caktimin e një mase sigurie nga Krimet e Rënda, vendim për të cilin kishin dijeni edhe burgjet. 

Shkarkoni aplikacionin e A2