Rama, apel kryebashkiakëve demokratë: Mos nxirrni pengesa për zgjedhjet!

Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje nëpërmjet Twitter-it kryebashkiakëve demokratë që të mos nxjerrin pengesa për zgjedhjet.

“Kryebashkiakë demokratë! Mos bini viktimë e katërshes SB/IM/LN/MK duke nxjerrë pengesa për zgjedhjet. Referojuni ligjit jo hallit të tyre të madh e as zhurmës së tyre të kotë. Nuk ju nxori PS nga gara po ata dhe ata duhet të përgjigjen para jush, jo ju para tyre. Ligji s’ka mëdyshje”, shkruan Rama në rrjetin social.

Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me mjete të Ministrisë së Mbrojtjes, ka sjellë të premten paradite në Kukës materialet e para që do të shërbejnë për qendrat e votimit më 30 qershor. Thuajse në të njëjtën kohë kur komisioni i KZAZ 11 merrte në dorëzim materialet zgjedhore, kreu i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Sheshu i kërkon me një shkresë zyrtare KQZ-së lirimin e menjëhershëm të ambjenteve të KZAZ nr.11 si edhe palestrës sportive të shkollës së mesme “Havzi Nela”. Gjithashtu, në shkresë kryebashkiaku i Kukësit kërkon nga KQZ-ja heqjen e listës së zgjedhësve të afishuar në institucionet arsimore.

Kjo, sipas kryebashkiakut të Kukësit, në zbatim të dekretit të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, që zhdekretonte 30 qershorin si datën e zgjedhjeve lokale. Një kërkesë të tillë e ka bërë edhe Bashkia e Matit, ndërsa pritet që një veprim të tillë ta bëjnë edhe bashkitë e tjera në vend që drejtohen nga PD dhe LSI. 

Shkarkoni aplikacionin e A2