Shpërndarja e Parlamentit? Presidenti pyet në KQZ për numrin e deputetëve – A2

Shpërndarja e Parlamentit? Presidenti pyet në KQZ për numrin e deputetëve

Presidenti i Republikës i është drejtuar me një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku i kërkon informacion në lidhje me gjendjen dhe përbërjen aktuale të Parlamentit. Shkresa e firmosur nga sekretarja e Përgjithshme e Presidencës, përmban disa pyetje për të cilat institucioni i kreut të shtetit kërkon përgjigje sa më shpejt.

“Cili është numri aktual i mandateve të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në shkallë vendi? Vënien në dispozicion të listës emërore të deputetëve aktualë të Kuvendit të Shqipërisë, për çdo zonë zgjedhore për çdo subjekt, si dhe listën emërore të deputetëve aktualë në shkallë vendi”

Kërkesat e Presidentit për KQZ

Presidenti nuk shpjegon arsyet përse kërkon këtë informacion, por shkresa e tij vjen në një moment të krizës politike dhe institucionale, ku të shumtë janë ata që besojnë se ai po bëhet gati të shpërndajë Parlamentin, bazuar në arsyetimin se ai është ilegjitim për sa kohë nuk janë plotësuar 140 mandate. Kur u pyet për një skenar të tillë, vetë Meta nuk e mohoi atë. Duke shmangur një përgjigje direkte, ai paralajmëroi zhvillime.

Pas largimit të PD dhe LSI nga Parlamenti, KQZ vijoi me zëvendësimet e mandateve nga listat shumë emërore përkatëse. Në përfundim të këtij procesi, numri i deputetëve në sallë shkoi 122, ndërsa Kushtetuta thotë se Parlamenti i Shqipërisë përbëhet nga 140 deputetë. Këtë çështje, Presidenti pranoi se ka tentuar ta trajtojë edhe me Kreun e Kuvendit.

Shkarkoni aplikacionin e A2