Sondazhi i të rinjve për politikën, 71% duan të ikin nga Shqipëria, nuk kanë besim te politika

Të rinjtë shqiptare janë të zhgënjyer nga klasa politike, ndaj përgjigjen me indiferentizëm për çdo ngjarje  që prodhon ajo. Gjatë një sondazhi kombëtar të kryer nga shoqëria civile, 71% e të rinjve të pyetur duan të largohen nga Shqipëria.

Gjermania, Franca dhe Holanda janë vendet e preferuara për të jetuar dhe punuar.

“Ndërkohë që jemi në një situate politike se kur do të bëhen zgjedhjet, 71% të të rinjve kane vendosur të emigrojnë. Për shkak të një pune më të mirë, standarde më të mirë dhe sigurisë”, thotë Rigels Xhemollari, i Qëndresës Qytetare.

80% e të pyeturve nuk besojnë tek politika, nuk janë aktiviste dhe as anëtar partie. Nga sondazhi ka rezultuar se 53% e të rinjve do të votojnë në zgjedhjet e ardhshme, 24 % mbështesin bojkotin, ndërsa 17%  janë të paqartë.

Por studentët të pyetur në kryeqytet nga A2 CNN nuk shprehin asnjë interes ndaj votimeve. Në sondazh u përfshinë të rinjtë e moshave 18 deri 30 vjeç dhe nga 61 bashkitë e vendit.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN