Suarez i kthehet kafshimit të Chiellinit: Edhe gruas ia mohoja, i thashë u përplasa

Luis Suarez i është rikthyer edhe një herë episodit të shëmtuar me Giorgio Chiellinin, kur sulmuesi uruguajan e kafshoi mbrojtësin italian në Botërorin e Brazilit.

Lojtari i Barcelonës rrëfeu për “Fox Sports” se edhe bashkëshortes së tij ia mohoi gjestin: “Më pyeti pas ndeshjes çfarë ndodhi dhe i thashë që nuk e kafshova, thjesht u përplasa. Po mohoja realitetin dhe kjo është e gabuar. Të gjithë e dinë pastaj që nisa takimet me psikolog”.

Edhe pse e pranon gabimin, Suarez shton se dënimi që iu dha nga FIFA ishte i ekzagjeruar.

“Më ndaluan të hyja nëpër stadiume, nuk mund të shkoja të shikoja nipin tim. Ishte çnjerëzore. Kisha firmosur me Barcelonën, por nuk mund të më prezantonin. Fëmijët e mi nuk e kuptonin ende pse nuk mund të shkoja në stadium. Ishte e vështirë për mua”, u shpreh Suarez.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN