Del në ankand arma e vetëvrasjes së Van Gogh

Revolveri me të cilin besohet të jetë vetëvrarë piktori holandez Vincent Van Gogh, do të shkojë nën çekiçin e një ankandi në Paris. Çmimi i tij vlerësohet të arrijë nga 40 mijë deri në 60 mijë euro.

Van Gogh u vendos në qytetin francez të Auvers-sur-Oise në vitet e fundit të jetës, pas largimit nga azili ku po trajtohej për probleme mendore. Atje realizoi disa vepra, përfshirë ‘Fushën e grurit me sorra’, që mendohet të jetë piktura e fundit.

Në 27 korrik të 1890-s, artisti shkoi në një fushë pas kështjellës së qytetit, ngriti bluzën dhe qëlloi veten me armë në kraharor. Si pasojë e plagës vdiq dy ditë më vonë.

“Revolveri u gjet në 1960-ën nga një fermer që po punonte tokën në zonën ku u vetëvra Van Gogh. Ai ja dorëzoi pronarëve të hanit ku kishte jetuar piktori holandez. Ishte vajza e pronarit që na kontaktoi për ta nxjerrë në ankand”, deklaroi Gregoire Veyres, përfaqësues i Shtëpisë së Ankandeve Drout. 

Një libër nga Alain Rohan, i shkruar në 2012-ën, hedh dritë mbi armën e pretenduar të vetëvrasjes, duke krahasuar kalibrin e saj me plumbin që mjeku Paul Gachet kishte nxjerrë nga trupi i Van Gogh.

Shtëpia franceze e ankandeve Drout, duke cituar ekspertët, pohon se revolveri kishte aftësi të kufizuar qitëse, çka shpjegon përse plaga nuk e vrau menjëherë artistin. 

Shkarkoni aplikacionin e A2