Disa orë të bllokuar në Morinë, Kosova lejon qarkullimin e autobusëve Tropojë-Tiranë – A2

Disa orë të bllokuar në Morinë, Kosova lejon qarkullimin e autobusëve Tropojë-Tiranë

Dhjetëra udhëtarë shqiptarë që udhëtonin nga Tropoja në drejtim të Tiranës u bllokuan paraditen e së shtunës në pikën e kalimit kufitar të Morinës, ndërsa janë lejuar të lëvizin vetëm pas urdhrit të dhënë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit të Kosovës.

Vendimi erdhi pas kërkesës së ministrisë shqiptare me anë të ambasadës në Kosovë. Ministria e Infrastrukturës dhe e Transportit në Kosovë njofton se me qëllim të evitimit të problemeve që mund t’u shkaktohen qytetarëve, të cilët e kanë më të lehtë të udhëtojnë përmes Kosovës, nga Tirana për në Bajram Curr dhe anasajelltas, ka pezulluar vendimin për ndalim të dy operatorëve nga Shqipëria, deri të mërkurën.

“Ne presim nga autoritetet e Shqipërisë, por edhe nga këto kompani, që t’i përmbahen lejes së tyre vetëm për udhëtim transit nëpër Kosovë, dhe jo ndalesë nëpër stacione për të marrë udhëtarë. Për këto shkelje të vazhdueshme, kemi pranuar ankesa nga operatorët vendas, të cilëve u janë shkaktuar dëme dhe të njëjtat janë prezantuar para institucioneve relevante të Shqipërisë. Për të këtë çështje, do të diskutohet në një takim mes komisioneve teknike të të dyja vendeve, të mërkurën”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Transportit të Kosovës.

Shkarkoni aplikacionin e A2