Kriza politike, palët në matje force, thellojnë më tej ndasitë në qëndrime

Afrimi i 30-qershorit duket se thellon edhe më shumë krizën politike, pavarësisht apelit ndërkombëtar për të dialoguar.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka kërkuar nga KQZ informacion në lidhje me gjendjen dhe përbërjen aktuale të Parlamentit, pikërisht në një moment kur nuk janë të paktë ata që besojnë se ai po bëhet gati të shpërndajë Parlamentin.

Burimet të A2 CNN konfirmojnë se KQZ ende nuk i ka kthyer përgjigje shkresës së Metës. Ndërsa mazhoranca nëpërmjet kryetarit të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla nuk ka vonuar në përgjigjen për këtë skenar.

“Presidentit i ka hipur vetja në qejf dhe ka hapur edhe haberin se gjoja do të shpërndajë Parlamentin. Se çfarë Kushtetute ka Presidenti këtë nuk e di, por kam hall mos ka ngatërruar Kushtetutën me bllokun e zi”, u shpreh Taulant Balla.

Socialistët vijojnë fushatën elektorale me këmbënguljen se zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor.

Edhe opozita nuk ndal agjendën e saj duke iu rikthyer protestave kombëtare. Ndryshe nga të shkuarat, protesta e opozitës do të zhvillohet të premten, ku para Kryeministrisë do të kërkohet sërish largimi i Edi Ramës, sepse tani, thotë Lulzim Basha, ai i ka shpallur luftë opozitës, duke vijuar me fushatën elektorale, pavarësisht dekretit të Presidentit për anulimin e zgjedhjeve.

Ndërsa vijon përplasja institucionale lidhur me anulimin që Presidenti i bëri datës së zgjedhjeve lokale, bashkitë e drejtuara nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim vendosën të zbatojnë dekretin e Presidentit dhe i kërkuan KQZ-së lirimin e ambienteve publike të zëna nga KZAZ-të, si dhe heqjen e listave të afishuara të votuesve, duke shtrirë edhe më shumë konfliktin politik, vetëm 2 javë nga data 30 qershor.

Shkarkoni aplikacionin e A2