Kush firmosi shkarkimin e Metës? Zbardhen emrat e deputetëve të PS

55 firma janë hedhur në kërkesën që PS ka ndërmarrë për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit të Republikës. A2 CNN ka siguruar emrat e 35 prej tyre, numri që përcakton Kushtetuta, si të domosdoshëm për të kërkuar shkarkimin e kreut të shtetit.

Tek firmëtarët janë  zv.kryeministri Erjon Brace, kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, deputetet Shalsi, Çuçi, Bushati si edhe të gjitha deputetet gra të kësaj force.

Lista është gati prej 13 qershorit, por socialistët ende nuk e kanë depozituar në Kuvend. Kryetari i Komisonit të Ligjeve la të hapur mundësinë që kërkesa të depozitohet të hënë. Ky është hapi i parë i procedurës për shkarkimin e një presidenti, së cilës edhe nëse do t’i shkohet deri në fund do të duhet një kohë shumë e gjatë.

Lista e siguruar nga A2 CNN

Sipas nenit 112 të Rregullores së Kuvendit si fillim duhet që të bëhet kërkesa nga “Jo më pak se një e katërta e të gjithë anëtarëve të Kuvendit mund të propozojë shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës për shkaqet e parashikuara në nenin 90 pika 2 të Kushtetutës.  Pas paraqitjes së kërkesës ajo fillimisht shqyrtohet nga Komisioni i Ligjeve, i cili ka të drejtën e propozimit ose jo të krijimit të një Komisioni Hetimor.

Duket se  mazhoranca e ka menduar këtë skenar dhe kjo mund jetë arsyeja, pse mungon firma e kreut të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja dhe deputetes Klotilda Ferhati.

 Në rast të krijimit Komisioni hetimor është i detyruar të thërrasë dhe të dëgjojë mendimin e Presidentit të Republikës në lidhje me propozimin e paraqitur.

 Në përfundim të hetimit, komisioni hetimor duhet t’i paraqesë Kuvendit në mënyrë të arsyetuar nëse ekzistojnë shkaqet për shkarkimin e Presidentit të Republikës.

Vetëm pasi të mbarojnë të gjithë këto hapa, arrihet në votim në seancë plenare, kur duhet të votojnë pro shkarkimit 2/3 e deputeteve, pra 94 vota. Në fund, vendimi i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, që mund të marrë vendimin për shkarkimin e presidentit pas dekretit që anuloi 30 qershorin.

Shkarkoni aplikacionin e A2