Balla: Nesër miratohet paketa kundër pastrimit të parave; PD: Pastroi 3,5 milionë euro me Toyota Yaris – A2

Balla: Nesër miratohet paketa kundër pastrimit të parave; PD: Pastroi 3,5 milionë euro me Toyota Yaris

Kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla njoftoi në Twitter se Kuvendi do të miratojë nesër paketën ligjore me qëllim forcimin e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Ai u ndal edhe tek ajo që e quajti “përfshirja e PD-së dhe Lulëzim Bashës në skemë transaksionesh të paligjshme përmes kompanive guackë&oligarkësh rusë është një skandal i rëndë, që kërkon legjislacion të fortë”.

“Nesër Kuvendi miraton Paketën ligjore për forcimin e luftës kundër pastrimit të parave&financimit të terrorizmit. Përfshirja #PD #LulezimBasha në skemë transaksionesh të paligjshme përmes kompanive guackë&oligarkësh rusë është një skandal i rëndë,që kërkon legjislacion të fortë”, shkroi Balla në Twitter.

Përgjigja e Selisë Blu erdhi me anë të Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi: “Është revoltuese kur dëgjon Taulant Ballën t’u flasë shqiptarëve për luftë kundër pastrimit të parave të pista. Të presësh që Taulant Yaris alias Taulant Bego të luftojë pastrimin e parave është njësoj si të besosh që hijena do të bëhet vegjetariane. Taulant Balla duhet të sqarojë së pari përfshirjen në pastrimin e parave të 3.5 milionë eurove me Toyota Yaris”.

Shkarkoni aplikacionin e A2