Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagoi për lënien në burg të dy krerëve të PD-së, të Librazhdit dhe Prrenjasit.
Kreu demokrat theksoi se ky është “vendim burracak i prokurorëve dhe gjyqtarëve të Edi Ramës”, ndërsa shtoi se këto masa janë veprime që kanë për synim trembjen e opozitës.
“Prokuroria dhe Gjykata e Elbasanit vendosi sot të mbajë në burg kryetarin e PD-së së Librazhdit, zotin Bujar Vreto dhe kryetarin e PD-së së Prrenjasit, zotin Arjan Karriqi, si dhe dy qytetarë të tjerë, zotin Dashamir Boja dhe zotin Bujar Kllojku. Krimi i tyre është se kanë protestuar në buzë të rrugës ku kaloi Edi Rama. Është vendim burracakësh i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar të Edi Ramës. Është represion ndaj kundërshtarëve politikë i urdhëruar direkt nga Edi Rama. Qëllimi është vetëm një: persekutimi dhe trembja e kundërshtarëve politikë për të shuar protestën dhe përpjekjet kundër qeverisjes së kriminalizuar të Edi Ramës”, deklaroi Basha.
“Opozita nuk frikësohet. Opozita nuk trembet. Opozita nuk tërhiqet. Unë, të gjithë demokratët në çdo cep të Shqipërisë dhe të gjithë qytetarët e bashkuar do ta luftojmë këtë qeveri kriminale derisa Edi Rama dhe kriminelët e tij të dalin para drejtësisë së vërtetë. Dua t’ju drejtohem gjithashtu të gjithë policëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve të Elbasanit, të cilët sot vendosën të mbajnë të burgosur politikë njerëz të pafajshëm, ndërkohë që kanë vite që tolerojnë dhe mbrojnë krimet e Qazim Sejdinit dhe të bandave të Elbasanit”, shtoi Basha.