Goditje e rëndë për Argjentinën, debuton me humbje në Copa America – A2

Goditje e rëndë për Argjentinën, debuton me humbje në Copa America

Argjentina e nisi si mos më keq përpjekjen për të fituar trofeun e Copa America, pasi u mund 2-0 nga Kolumbia në ndeshjen e parë të turneut.

Të drejtuar nga ish-trajneri i Portugalisë dhe Real Madrid, Carlos Queiroz, kolumbianët shënuan në 20 minutat e fundit të ndeshjes me Roger Martinez dhe Duvan Zapata, për të arritur fitoren e parë në 12 vite kundër bardhekaltërve, të cilët kishin zbritur në fushë me “peshat e rënda” Leo Messi dhe Sergio Aguero.

Ylli i Barcelonës tha se ndihej i hidhëruar për këtë rezultat: “Nuk donim ta nisnim në këtë mënyrë, por tani duhet të ngremë kokën lart dhe të vazhdojmë përpara”. Ishte pikërisht Messi që humbi rastin më të mirë për gol të skuadrës së tij.

Argjentina e ka fituar 14 herë këtë turne, por hera e fundit që ia ka dalë ka qenë viti i largët 1993, ndërsa ka humbur dy finalet e fundit kundër Kilit me penallti. Ndeshja e radhës për dy herë kampionët e botës është kundër Paraguait.

Shkarkoni aplikacionin e A2