Ktheheshin nga festa e ditëlindjes, shpejtësia u merr jetën 3 anëtarëve të një familjeje

Festa e ditëlindjes së 22-vjeçareje nga Mirdita, banuese në kryeqytet, ka përfunduar në mënyrën me tragjike të mundshme për të dhe familjen e saj. E reja Florida Bibaj dhe dy prindërit e saj, Bardhok e Valentina, 62 e 54 vjeç, u vranë në një aksident rrugor të ndodhur në orët e para të së dielës tek rreth-rrotullimi pranë TEG-ut në Tiranë.

Plagë të rënda në aksident mori edhe vajza tjetër e familjes, Xhuliana, 26 vjeç, e cila po lufton me vdekjen në Spitalin e Traumës. Të katërt ishin pasagjerë në automjetin “BMW X5”, që drejtohej nga 32-vjeçari Arlintin Alia, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Aksidenti tragjik ndodhi rreth orës 00:20 të së dielës, teksa familja Bibaj dhe miku i tyre po ktheheshin nga festa e ditëlindjes. Sipas të dhënave paraprake dhe shenjave të lëna në vendin e ngjarjes, drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin e drejtimit në rreth-rrotullim. Mjeti ka dalë nga trajektorja e rrethit duke u përplasur me forcë me bordurën anësore dhe pasi është rrokullisur disa herë ka ndalur pas 30 metrash.

Sipas policisë, shkak i aksidentit është tejkalimi i normave të lejuara të shpejtësisë dhe drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit. Ky është aksidenti i dytë brenda dy javësh në aksin rrugor Tiranë-Elbasan me pasojë humbjen e jetëve.

Shkarkoni aplikacionin e A2