Meta: Shfuqizimi i 30 qershorit, vendim kushtetues shumë solid. Nuk do të ketë zgjedhje

Presidenti Ilir Meta, në një intervistë për “Al Jazeera”, theksoi se shfuqizimi i 30 qershorit si datë e zgjedhjeve vendore “është një vendim kushtetues shumë solid, i bazuar mbi përgjegjësitë e mia kushtetuese si President i Republikës”.

“Unë kam qenë deputet i Parlamentit për 25 vite me radhë dhe e di shumë mirë se si funksionon ky institucion. Unë jam zgjedhur në postin e Presidentit të Republikës nga një parlament plotësisht legjitim dhe jo nga ky që kemi aktualisht. Por, që nga momenti që u zgjodha dhe u betova mbi Kushtetutën e Shqipërisë si President i Republikës unë i përkas Republikës dhe Republika u përket qytetarëve. Në këtë aspekt, dua t’i siguroj të gjithë se dekreti im për shfuqizimin e 30 qershorit si datë për zhvillimin e zgjedhjeve vendore është një vendim kushtetues shumë solid, i bazuar mbi përgjegjësitë e mia kushtetuese si President i Republikës. Ky vendim i shërben paqes sociale, stabilitetit, duke shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm e të pakontrolluar të situatës, që mund të çojë në një përplasje civile në vend ashtu siç edhe ju e keni parë gjatë zhvillimeve të muajit të fundit, sepse zgjedhjet pa opozitën, jo vetëm minojnë stabilitetin e vendit, por gjithashtu çdo shans pozitiv që Shqipëria të bëjë hapa përpara në procesin e çeljes së negociatave me BE-në sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Meta.

Kur u pyet nëse do ta njihte rezultatin e zgjedhjeve nëse qeveria do t’i zhvillojë ato, Presidenti u përgjigj: “Nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor. Ky dekret është publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare dhe të gjithë kanë detyrimin ta zbatojnë atë”.

Meta shtoi se pavarësisht interpretimeve të ndryshme, “është vetëm një autoritet suprem që mund të gjykojë këtë dekret, që është Gjykata Kushtetuese, e që nuk është funksionale për momentin”.

Shkarkoni aplikacionin e A2