Dhjetra mbështetës të opozitës dolën pasditen e së dielës në aksin nacional Korçë-Pogradec, në fshatin Grabovicë, ku po prisnin largimin e Ramës drejt Tiranës, pas takimit elektoral që kreu i qeverisë zhvilloi në Pustec.
Ata ishin të shoqëruar edhe nga ish-deputetët Klevis Balliu, Ervin Salianji dhe Endrit Braimllari.
Mes forcave të policisë dhe ish-deputetëve opozitarë pati debate.
“Domatet nuk prishin asnjë punë. Çfarë ndodh pas këtij provokimi nuk mbaj dot përgjegjësi. Unë kam ardhur këtu vetëm me i rujt këta dhe ju. Të kam garantuar 1 metër larg çdo oficeri të policisë. Asnjë polic këtu nuk do të derdhë një kokërr djersë për tu shtyrë me asnjë person. Këtë të garantova unë. Se çfarë bëjnë qytetarët pas provokimit që bëni ju ajo është përgjegjësia juaj. Çdo shoqërim do të quhet politik se kështu është”, tha Balliu.
Më pas ish-deputetët dhe mbështetësit e tyre vijuan marshimin në aksin nacional të shoqëruar nga forca të shumta policie derisa kryeministri Edi Rama u largua pa probleme.