U arrestua kur ishte 13 vjeç, adoleshenti i shpëton ekzekutimit

Një 18-vjeçar që po priste dënimin me vdekje në Arabinë Saudite, i ka shpëtuar ekzekutimit dhe është dënuar me 12 vite burg.

Murtaja Qureiris u arrestua në moshën 13-vjeçare nga autoritetet saudite dhe, sipas CNN, mund të lirohet në vitin 2022. Dënimi i adoleshentit përfshin kohën që ai ka qëndruar në burg që nga arrestimi i tij në vitin 2014, ndërkohë që katër vitet e fundit do të jenë liri me kusht. Ndaj, atij i mbetet për të shlyer në burg edhe 3 vite.

Presioni ndërkombëtar duket se ka ndikuar në vendimin e gjykatës për të mos ekzekutuar minorenin. Qureiris ishte vetëm 10 vjeç kur kreu të paktën një nga akuzat me të cilat përballet. Ai është akuzuar se shoqëroi vëllain e tij aktivist, Ali Qureris, në një udhëtim me motor në një stacion policor në qytetin lindor të Awamiya, ku dyshohet se Aliu hodhi molotov ndaj godinës.

Akuzë tjetër është pjesëmarrja në funeralin e vëllait të tij, që u kthye në demonstratë.

Në kohën e arrestimit, Qureiris u konsiderua nga avokatët dhe aktivistët si i burgosuri më i ri politik në Arabinë Saudite.

Shkarkoni aplikacionin e A2