Audiopërgjimet, Kryemadhi: Sot u provua 100% vjedhja dhe manipulimi i zgjedhjeve

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, gjatë mbledhjes së kryesisë së partisë që drejton, tha se audiopërgjimet e publikuara sot nga “Bild” janë “prova e fortë për të vulosur zgjedhjet si ilegjitime”.

“U provua hapur se Rama është kryeministër ilegjitim. U provua totalisht se zgjedhjet janë ilegjitime. U provua 100% vjedhja dhe manipulimi i zgjedhjeve. Edi Rama është personalisht në krye të masakrës zgjedhore. Dorëheqja e menjëhershme e Ramës është e pashmangshme. Përfshirja e kriminelëve u faktua katërcipërisht. Blerja e votave është damka e pashlyeshme e Rilindjes. Kërcënimet me vendin e punës për votat janë praktikë e pistë e Rilindjes. Edi Rama kurre më nuk mund të administrojë zgjedhje”, deklaroi Kryemadhi.

Më tej, kryetarja e LSI-së shtoi se “Rama është shkaku pse dështoi hapja e negociatave për anëtarësim në BE”.

“Kriminalizimi zgjedhjeve, i qeverisjes dhe korrupsioni i shfrenuar bllokuan integrimin. Largimi i Ramës është detyrim për të shpëtuar Shqipërinë nga kaosi. Përçarja dhe konflikti i egër është synimi i vetëm i Edi Ramës”, theksoi Kryemadhi.

Shkarkoni aplikacionin e A2