Basha: Tragjike kur mësuesit kthehen nga edukatorë në hajdutë votash

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi nga selia e Partisë Demokratike mbrëmjen e së hënës se pas audiopërgjimeve të publikuara nga “Bild” ndihet “keq dhe i trishtuar për gjendjen ku kemi përfunduar si shoqëri dhe si popull”.

“Jam i trishtuar se sot një votë kushton 4000 lekë. Një politikë që humb besimin e njerëzve, humb gjithçka. Kur politika nuk është më mjet në duart e njerëzve, do të thotë që nuk ka më demokraci. Jam i trishtuar nga niveli ku ka përfunduar shteti. Edhe nëse ka njerëz të ndershëm në këtë shtet, ata çnderohen. Është tragjike për një komb kur mësuesit kthehen nga edukatorë në hajdutë votash; është tragjike kur polici shtrëngohet të kthehet në keqbërës skutash për të ruajtur bukën e gojës së fëmijëve”, tha Basha.

Kreu i PD-së e cilësoi më tej kryeministrin Edi Rama si “krimineli i përsosur i një ambienti të mbrapshtë politik, ekonomik dhe shoqëror”.

“Rama është kriminel me të cilin duhet të merremi përpara se të merremi me çdo gjë tjetër. Pa nxjerrë para drejtësisë ata që nën drejtimin e Edi Ramës blenë votat, nuk do të ketë asnjë përparim. Unë dhe demokratët nuk do të tërhiqemi nga ky objektiv çlirues për Shqipërinë”, nënvizoi Basha. Në fund, Lulzim Basha pati edhe një mesazh për ata që kritikuan vendimin për djegien e mandateve: “Ata që besonin se me këtë bandë kriminale mund të dialogohej në Parlament, sot duhet të flakin iluzionin e fundit që mund të kishin. Largimi nga Parlamenti ishte vendimi i duhur. Me krimin nuk mund të ketë dialog dhe negociata. Ky është standard perëndimor. Do t’i qëndrojmë deri në fund këtij standardi”.

Shkarkoni aplikacionin e A2