Irani sfidon botën, shkel ujdinë bërthamore dhe rrit pasurimin e uraniumit – A2

Irani sfidon botën, shkel ujdinë bërthamore dhe rrit pasurimin e uraniumit

Irani njoftoi se me 27 qershor do të shkelë limitin për pasurimin e rezervave të uraniumit, gjë e cila ishte ndaluar nën marrëveshjen bërthamore të 2015-ës me fuqitë botërore.

Kjo vjen pasi Teherani muajin e kaluar tha se do të katërfishojë prodhimin e uraniumit si masë proteste ndaj sanksioneve të rivendosura nga Shtetet e Bashkuara. Uraniumi i pasuruar përdoret për të ndërtuar karburant reaktorësh por edhe për armë bërthamorë.

“Nëse Irani ndjen se sanksionet janë rivendosur ose nuk janë hequr, atëherë ka të drejtë të pezullojë pjesërisht apo të gjitha përkushtimet. Megjithatë vendet Evropiane kanë ende kohë për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore nëse plotësojnë përkushtimet e tyre”, deklaroi Behrouz Kamalvandi, zëdhënës i Agjencisë Atomike iraniane.


Presidenti iranian Hassan Rouhani gjatë një vizite

Fuqitë Evropiane paralajmëruan Iranin se nuk do të kenë zgjedhje tjetër përveç rivendosjes së sanksioneve, nëse ujdia nuk do të respektohej.

Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania janë përpjekur të ruajnë marrëveshjen që prej tërheqjes së presidentit amerikan, Donald Trump, vitin e kaluar.

Por Irani është ankuar se ata dështuan të mbronin sektorët bankarë dhe ato të naftës nga efektet e sanksioneve të SHBA. Këto zhvillime kanë shtyrë drejt kolapsit rritjen ekonomike, duke bërë që vendi të bjerë në recension.

Vendimi i fundit i Teheranit do të shtojë dhe më tepër tensionet me Uashingtonin, me presidentin Trump që shpeshherë ka kërcënuar me ndërhyrje ushtarake.

BE shqetësohet nga Irani: Duhet të shpëtojmë ujdinë, të shmanget konflikti

Paralajmërimet e Iranit alarmojnë Bashkimin Evropian. Ministrat e jashtëm kërkojnë që marrëveshja bërthamore të shpëtohet dhe bëjnë thirrje për shmangien e konfliktit të armatosur në rajon.

 “Ne kemi pikëpamje të ndryshme lidhur me ujdinë bërthamore me Iranin. Nuk ka ndryshuar asgjë. Kemi çështje të tjera që më shqetësojnë më tepër, si tarifat ndëshkuese kufitare që janë vendosur apo njoftuar. Kjo nuk është rruga e drejtë se si partnerët të trajtojnë njëri-tjetrin”, deklaroi ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas.

 “Marrëveshja bërthamore me Iranin duhet të gjykohet në bazë të përmbajtjes. Është shumë e rëndësishme që të vazhdojmë verifikimet përmes Agjencisë Bërthamore Ndërkombëtare nëse Irani ka përmbushur kriteret. Për aq kohë sa do ta bëjë këtë, ne duhet të mbështesim këtë ujdi”, deklaroi kolegu holandez, Stef Blok.

Për ministrin e Jashtëm luksenburgez, Jean Asselborn, “ presidenti amerikan po tërheq të gjithë trupat nga Lindja e Mesme. Në anën tjetër, mendoj se nuk duhet të zgjidhim konfliktin mes Arabisë Saudite dhe Iranit me armë. Do të ishte fatale për rajonin. Mendoj se kemi mjaftueshëm energji intelektuale për të gjetur zgjidhje diplomatike.”

Shkarkoni aplikacionin e A2