Kandidati i Bindjes Demokratike për Tiranën: Askush s’mund të ndalojë popullin të votojë – A2

Kandidati i Bindjes Demokratike për Tiranën: Askush s’mund të ndalojë popullin të votojë

Pavarësisht situatës politike dhe tensionit të shtuar nga java në javë, fushata elektorale për Bashkinë e Tiranës vazhdon edhe në këto kushte.

Kandidati i Bindjes Demokratike për bashkinë e kryeqytetit, Arben Skënderi, ishte i ftuar në Ditarin e orës 13:00 në A2 CNN. Ndërsa komentoi situatën aktuale dhe mundësinë e shtyrjes së datës 30 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, ai u shpreh se askush nuk mund t’i heqë të drejtën popullit të ushtrojë të drejtën e votës.

“Më tepër janë marifete politike se çdo gjë tjetër dhe koha këtë po e vërteton çdo ditë. Situata është anormale. Tashmë ka rënë shteti dhe këtu ka rënë shteti duke i dhënë shkelmin e fundit vetë shtetarët. Në terren njerëzit kanë të tjera halle”, u shpreh kandidati i Bindjes Demokratike.

Sa i përket fushatës elektorale, Skënderi shprehet se edhe ajo nuk është normale, por thekson se qytetarët kanë halle më konkrete që nuk kanë aspak lidhje me ato të liderëve.

“Unë flas me njerëzit dhe pjesa më e madhe nuk e dinë se çfarë po ndodh, nuk e dinë pse po ndodh. Të gjithë këta politikanë që çirren për demokraci nuk i kanë ofruar këtyre njerëzve liri dhe demokraci në këto vite. Qytetarët duan që politikanët të ulen dhe të rikthehet qetësia. Unë besoj që qytetarët duan që jeta e tyre të menaxhohet në mënyrë korrekte dhe kërkesat e tyre janë shumë më të thjeshta”, tha Skënderi.

Shkarkoni aplikacionin e A2