“Minsk 2019”, Presidenti i dorëzon Flamurin Kombëtar ekipit përfaqësues

Nga data 21 deri në 30 qershor, Shqipëria do të marrë pjesë në Lojërat II Europiane “Minsk 2019”.

Ditën e sotme, Presidenti Meta i ka dorëzuar gjatë një ceremonie solemne, Flamurin Kombëtar, ekipit dhe delegacionit zyrtar, që do të marrë pjesë dhe do të përfaqësojë Shqipërinë në këto lojëra.

Atletët shqiptarë do të garojnë në disiplina të ndryshme si boks, çiklizëm, mundje, xhudo dhe qitje.

“Është një kënaqësi e veçantë për mua që t’iu dorëzoj sot Flamurin, me bindjen se ju jeni më të mirët për ta ngritur atë sa më lart në këto Lojëra mjaft të rëndësishme. Jemi që të gjithë krenarë për punën tuaj, për talentin dhe shpirtin tuaj të garës dhe ju uroj suksese pasi ky është flamuri që bashkon të gjithë shqiptarët kudo në botë. Sporti ka treguar e ka ditur në momente të rëndësishme të ngrejë lart ndjenjën kombëtare përmes sukseseve dhe arritjeve, që nuk na kanë munguar dhe të cilat mezi po i presim tani në Bjellorusi. Shpresojmë t’ju takojmë edhe pas kësaj ngjarjeje të madhe për të festuar arritjet tuaja. Forca dhe suksese!” – iu drejtua Presidenti Meta sportistëve shqiptarë, duke i falënderuar ata, trajnerët dhe të gjitha institucionet e sportit.

Presidenti i Republikës i dorëzoi Flamurin Kombëtar boksierit Krenar Zeneli, flamurmbajtësit të ekipit përfaqësues olimpik europian të sportistëve shqiptarë, që do të parakalojnë në Minsk.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN