Panik në avionin e linjës Prishtinë-Bazel

Udhëtarët e avionit të linjës Prishtinë – Bazel – Mulhouse (Francë) të ditës së diel kanë përjetuar momente tmerri për shkak të turbulencave rreth 30 minuta para zbritjes në aeroportin e qytetin zviceran.

Në avionin Boeing 737-300 ndodheshin 121 pasagjerë, të cilët ishin nisur nga Kosova. Problemet nisën kur avioni po fluturonte në krahinën e Tirolit të Jugut në Italinë veriore. Rreth 10 udhëtarë kanë pësuar dëmtime dhe pas uljes kanë marrë trajtim mjekësor në spital.

Sipas autoriteteve, avioni nisi të kishte probleme pasi piloti u përpoq të devijonte për të shmangur një stuhi. Një video e shpërndarë në rrjetet sociale tregon momentet e tmerrit që përjetuan pasagjerët. Disa prej tyre raportuan më pas se pati shkëputje edhe të disa ndenjëseve.

Fatmirësisht nuk pati dëmtime të tjera dhe avioni arriti të zbriste në aeroportin e Bazelit me 30 minuta vonesë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN