Prokuroria kërkon shoqërimin e detyrueshëm të Bashës

Prokuroria e Tiranës ka dorëzuar në Polici kërkesën për shoqërimin e detyrueshëm të kreut të PD, Lulzim Basha, në datën 20 qershor.

Mëherët gjatë ditës, Basha refuzoi t’i përgjigjej thirrjes së Prokurorisë për t’u paraqitur në Prokurori. Në një letër drejtuar Prokurorisë së Tiranës, Kryetari i PD shpreh gatishmërinë për t’u paraqitur në Prokurori, sapo ajo të zbatojë me përpikmëri ligjin.

“Në njoftimin e Prokurorisë së datës 12 qershor nuk është zbatuar kërkesa e ligjit për prezantimin e fakteve qe kanë rezultuar deri tani nga hetimet për lobimin e PD në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thotë PD.

Për këtë arsye, Kryetari i PD i ka kërkuar prokurorisë plotësimin e njoftimit për paraqitje sipas ligjit.

“Ju nuk keni parashtruar në njoftimin tuaj asnjë fakt që ka dalë nga hetimet, duke mos plotësuar detyrimet ligjore”- shprehet në letrën e tij Kryetari i PD, Lulzim Basha. Ai e mbyll letrën duke theksuar se “duke kërkuar gatishmërinë time për të zbatuar ligjin, kërkoj nga Prokuroria, që të bëjë të njëjtën gjë. Në këto kushte, kërkoj plotësimin e ftesës për paraqitje, siç ju detyron ligji, duke rikonfirmuar gatishmërinë time për t’u paraqitur sipas njoftimit të dërguar nga ana juaj në përputhje me ligjin”.

Shkarkoni aplikacionin e A2