Skemë mashtrimi me vizat kanadeze në Tiranë, dënohet me 4 vjet burg maqedonasi – A2

Skemë mashtrimi me vizat kanadeze në Tiranë, dënohet me 4 vjet burg maqedonasi

Gjykata e Tiranës dënoi me 4 vjet burg një 52 vjeçar maqedonas të akuzuar për krijimin e një skeme mashtruese për viza punësimi në Kanada dhe Australi.

Sipas gjykatës, i pandehuri Vasko Pop Gonov ka përdorur agjencinë e tij të punësimit me zyrë përballë godinës së drejtorisë së Policisë në Tiranë për t’i zhvatur një tarifë prej 600 euro dhjetëra qytetarëve. Skema mashtruese e Gonov funksionoi në mars-qershor 2014. Pas themelimit dhe regjistrimit të shoqërisë së tij “Help Immigration” sh.p.k ai krijoi besueshmëri në publik, për shkak të publicitetit të bërë në media të shkruara, një faqeje të hapur me të njëjtin emër në Facebook si edhe me fletushka rrugëve të kryeqytetit.

Sipas vendimit të gjykatës, një kopje e të cilit është siguruar nga “A2 CNN”, pranë zyrës së Gonov janë paraqitur për të marrë informacion plot 1970 persona. Por nga hetimi është provuar se të paktën 33 prej tyre kanë bërë pagesën prej 600 euro të kërkuar prej tij si parapagim, pagesë që është bërë direkt në zyrën e tij, ose në llogarinë bankare të shoqërisë. Qytetarëve u thuhej se pagesa shërbente për plotësimin dhe përkthimin e disa dokumenteve.

Në qershor 2014, pasi u “zhduk” nga qarkullimi, pa i mundësuar vizën aplikantëve, 52-vjeçari u kallëzua fillimisht nga dy punonjëset e zyrës së tij. Në vijim në Prokurorinë e Tiranës u depozituan dhjetëra kallëzime të tjera nga persona që i kishin dhënë atij nga 600 euro për sigurimin e një vize. Gjatë gjykimit, i pandehuri ka pranuar fajësinë dhe ka kërkuar të dënohet vetëm me kohën e paraburgimit.

Faksimile e vendimit të Gjykatës

Shkarkoni aplikacionin e A2