Thirrja në Prokurori, Basha: Është në shkelje të ligjit – A2

Thirrja në Prokurori, Basha: Është në shkelje të ligjit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe dy drejtuesit e tjerë, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi e kanë konsideruar në shkelje të ligjit thirrjen e tyre në Prokurori mëngjesin e së hënës.

Në një letër drejtuar Prokurorisë së Tiranës, Kryetari i PD shpreh gatishmërinë për t’u paraqitur në Prokurori, sapo ajo të zbatojë me përpikmëri ligjin.

“Në njoftimin e Prokurorisë së datës 12 qershor nuk është zbatuar kërkesa e ligjit për prezantimin e fakteve qe kanë rezultuar deri tani nga hetimet për lobimin e PD në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thotë PD.

Për këtë arsye, Kryetari i PD i ka kërkuar prokurorisë plotësimin e njoftimit për paraqitje sipas ligjit.

“Ju nuk keni parashtruar në njoftimin tuaj asnjë fakt që ka dalë nga hetimet, duke mos plotësuar detyrimet ligjore”- shprehet në letrën e tij Kryetari i PD, Lulzim Basha. Ai e mbyll letrën duke theksuar se “Duke kërkuar gatishmërinë time për të zbatuar ligjin, kërkoj nga Prokuroria, që të bëjë të njëjtën gjë. Në këto kushte, kërkoj plotësimin e ftesës për paraqitje, siç ju detyron ligji, duke rikonfirmuar gatishmërinë time për t’u paraqitur sipas njoftimit të dërguar nga ana juaj në përputhje me ligjin”.

Shkarkoni aplikacionin e A2