Konflikti për KZAZ-në në Tropojë, kryetari i bashkisë: Forcat Speciale po ushtrojnë terror

Në një komunikim telefonik në Ditarin e orës 19:00, kryetari i Bashkisë së Tropojës, Besnik Dushaj, komentoi ngjarjet e ndodhur paraditen e së martës në KZAZ-në nr.9, ku punonjës të Policisë Bashkiake të Tropojës dhe mbështetës të Partisë Demokratike kanë thyer me forcë derën.

Dushaj tregon se si ka nisur konflikti, ndërsa shprehet se në Tropojë kanë shkruar edhe Forcat Speciale dhe sipas tij po ushtrojnë terror.

“Me anulimin e datës së zgjedhjeve ne kemi njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kryeministrin, Presidentin dhe prefektin e qarkut që të na lejojnë ambientet. Por ata na janë përgjigjur që nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë pasi KQZ ka vendosur që të vazhdojnë zgjedhjet. Ne kemi njoftuar KZAZ-në që të na lirojnë ambientet. Ne njoftuam komisariatin e policisë për mbështetje, por ata na thanë që nuk pyesin për ne. Na thanë që nuk mund të ndërhyjnë pasi KQZ ka vendosur që të zhvillohen zgjedhjet. Policia bashkiake shkoi dhe i kërkoi komisionit që të largojnë materialet. Në ato momente ka ndërhyrë policia e rendit duke u konfliktuar me policinë e bashkisë edhe duke i ofenduar. Më pas, ka shoqëruar disa persona. Kanë ardhur Forcat Speciale nga Tirana, të cilët po ushtrojnë terror dhe dhunë në Tropojë. Gjej rastin t’i kërkoj ministrit të Brendshëm të tërheqë Forcat Speciale nga Tropoja. Çfarë do të bëjnë, Tropojën nuk kanë për ta nënshtruar. E kanë provuar edhe më parë, por ne nuk jemi nënshtruar në kohën e diktaturës e jo më sot”, tha kreu i Bashkisë së Tropojës.

Por çfarë do të ndodhë në vijim?

“Ne jemi të vendosur të mbrojmë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ne nuk duam të përplasemi me policisë, por nëse policia provokon ne nuk nënshtrohemi kurrsesi”.

Shkarkoni aplikacionin e A2